Besa,pa borxhe ndaj lojtareve

11/12/2010 16:50

 Besa e Pejës është skuadra e vetme që ka kryer të gjitha obligimet financiare ndaj futbollistëve. Njëmbëdhjetë skuadrat e tjera të Superligës së Kosovës në futboll iu kanë mbetur borxh lojtarëve. Kampionia në fuqi, Trepça, është kampione edhe për borxhe. Kryesia e këtij klubi iu ka lojtarëve tri paga borxh. Dy klube, Flamurtari dhe Ballkani, kanë nga dy paga borxh, ndërsa shtatë klube të tjera lojtarëve nuk ua kanë dhënë nga një pagë. Borxhin më të vogël e ka Prishtina që lojtarëve të saj nuk ua ka paguar vetëm një premi.

Skuadra e Superligës në futboll gjatë stinorit vjeshtor është përballur me probleme të mëdha financiare. Drejtuesit e klubeve nuk arrinin të kryenin me kohë obligimet që kishin ndaj lojtarëve. Për këtë arsye futbollistët shpesh bojkotuan stërvitjet, ndërsa nuk munguan edhe kërcënimet për largim nga garat. Pagat e lojtarëve në edicionin e fundit janë zvogëluar dukshëm në krahasim me kampionatet e kaluara.  
Një prej skuadrave që zvogëloi pagat ishte Besa e Pejës. Drejtuesit e këtij klubi si duket kanë bërë mirë llogaritë gjatë verës, pasi ata deri më tani kanë përmbushur të gjitha obligimet ndaj futbollistëve. Këtë e konfirmon kapiteni i skuadrës, Haxhi Zeka. 
"Të gjitha obligimet financiare janë kryer me rregull. Klubi nuk na ka mbetur as një cent borxh. Ne paguhemi edhe gjatë pushimit në mes stinorëve. Të ardhurat gjatë pushimit janë më të vogla, por edhe ato i marrim me rregull", ka thënë Zeka. 
Pjesa vjeshtore e kampionatit ka përfunduar më 22 nëntor. Ndeshjet e ardhshme skuadrat do t'i luajnë në fillim të marsit. Shumica e skuadrave nuk paguajnë lojtarët për muaj kur nuk ka aktivitet, pra për dhjetor dhe për janar. 
Lojtarët e kampiones vjeshtore, Prishtina, kanë marrë të gjitha pagat, por jo edhe njërën nga premitë e fituara për shkak të rezultateve të mira. Këtë e kanë bërë të ditur futbollistë të skuadrës së kaltër në kushte anonimiteti. 
Nga një rrogë borxh kanë Ferizaj, Vëllaznimi, Drenica, KEK-u, Trepça '89, Liria dhe Hysi. 
Liria, Hysi dhe Drenica po ashtu nuk kanë paguar edhe disa nga premitë e premtuara. Për shembull, Hysi nuk ka paguar plot katër premi. 
Drejtori i Ferizajt, Nadir Haxhimusa, pranon se klubi nuk ka kryer të gjitha obligimet financiare që ka ndaj futbollistëve. Ai thotë se me t'u emëruar kryetari i ri i klubit, lojtarët do të marrin pagën e muajit nëntor. 
"Futbollistëve nuk ua kemi dhënë rrogën e fundit dhe po ashtu dy premi. Nuk kemi pasur mundësi të kryejmë këto obligime, pasi nuk kishim mjete. Rroga mesatare në klubin tonë është 200 euro", ka thënë Haxhimusa. 
Ballkani përveç dy pagave nuk ka paguar edhe dy premi. Në këtë skuadër rroga maksimale mujore është 500 euro. 
Nëse nuk llogariten premitë, atëherë borxhliu më i madh është klubi mitrovicas Trepça. Kampionia në fuqi nuk ka ndarë pagat për tre muaj. Sipas futbollistëve, pagat mesatare në këtë klub janë 300 euro.


Free Web Counter
Free Web Counter